Lajme

Trafiku Urban i liron sot nga pagesa të gjitha gratë dhe vajzat

Për nder të “Prishtina Rozë” të gjitha vajzat dhe gratë mund të udhëtojnë sot falas meTrafikun Urban në Prishtinë.

Njoftimi është bërë i ditur përmes faqes zyrtare të Trafikut Urban në Facebook.

“Për nder të “Prishtina Rozë” më datën 29.10.2022 lirohen nga pagesa e biletës të gjithë personat e gjinisë femërore në transportin publik të “Trafikut Urban”. Të festojmë për të mbijetuarat dhe në të njëjtën kohë të inkurajojmë të gjitha që të ndërmerren veprime për vetëdijesimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit!” – thuhet në njoftim.

Ndryshe, tetori është muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për vajzat dhe gratë që të kontrollohen, pasi siç tha ajo, zbulimi i hershëm ndihmon në parandalimin dhe mposhtjen e kancerit të gjirit.

Ajo në fjalën e saj në Manifestimin tradicional kundër kancerit të gjirit “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”, ka kujtuar të gjithë personat që kanë humbur të dashurit e tyre nga kjo sëmundje.

“Jemi në tetor dhe s’mund të ishte ndryshe përveç se të jemi bashkë, bashkë ashtu siç po na shini të gjithëve sot në mbështetje të të gjitha vajzave, grave e burrave, të të gjithë të mbijetuarve, të atyre që po ballafaqohen dhe në kujtim të atyre që nuk janë më në mesin tonë si pasojë e kancerit të gjirit. Për të gjithë ata që sot ndjejnë dhimbjen e humbjes se më të dashurve të tyre, dua t’ju them që ne të gjithë e ndajmë dhimbjen me ju, e ndajmë dhimbjen tuaj të thellë. Jemi këtu për t’u lutur që dhimbjen ta shndërroni në fuqi dhe që së bashku ta përcjellim qartë e zëshëm, mesazhin se kontrolli i hershëm dhe preventiva shpëtojnë jetë”, tha ajo.

Ndërsa kryeministri, Albin Kurti ka thënë se kanë siguruar buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e listës së barnave esenciale, ndër to edhe për trajtimin e kancerit.

Ai tha se për vitin 2023 do të ketë investime shtesë në diagnostikim dhe në pako të veçanta për personat e prekur nga kancerit.

/Shqip.com