Lajme

Trafikonte armë drejt Kosovës, arrestohet 34-vjeçari nga Tropoja

Ilustrim

Policia e Shqipërisë ka arrestuar një 34 vjeçar banues në Shoshan të Tropojës, pasi tentonte të trafikonte armë zjarri drejt Kosovës.

Sipas Policisë, ky shtetas me automjetin e tij “Volkswagen”, po transportonte dy armë zjarri automatikë, 1 armë zjarri pistoletë tip “Glock” dhe sasi municioni luftarak, në aksin rrugor Shoshan-Bajram Curri, në vendin e quajtur “Ura e Shtrenjtit”.

“Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Armët e sekuestruara do dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për ekzaminime të mëtjeshme, nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë”, thuhet në njoftim.

Ilustrim

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit./Shqip.com