Teknologji

TikTok pritet të jetë subjekt i rregullave më të rrepta të BE-së lidhur me përmbajtjen

Kompania kineze e mediave sociale, TikTok, do t’i nënshtrohet rregullave më të rrepta të BE-së lidhur me përmbajtjen në internet, sepse numri i përdoruesve aktivë tejkalon një prag të përcaktuar sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), tha të mërkurën një ekzekutiv i lartë në kompani.

Rregullat historike marrin një linjë më të ashpër në platformat shumë të mëdha në internet, duke i karakterizuar këto si kompani me më shumë se 45 milionë përdorues.

Kërkesat për kompani të tilla përfshijnë detyrimet e menaxhimit të rrezikut, auditimin e jashtëm dhe të pavarur, ndarjen e të dhënave me autoritetet dhe studiuesit dhe miratimin e një kodi sjelljeje.

Shkeljet mund të rezultojnë në gjoba deri në 6% të xhiros globale të një kompanie.

Platformat online dhe motorët e kërkimit do të raportojnë numrat e tyre të përdoruesve më 17 shkurt, duke i lejuar Komisionit Evropian të përcaktojë se cilat janë platformat shumë të mëdha online dhe motorët e kërkimit shumë të mëdhenj në internet, shkruan Reuters.

“Ne presim që baza jonë e përdoruesve të BE-së të plotësojë kriteret sasiore për t’u konsideruar si një platformë shumë e madhe në internet, por jemi ende në pritje të procesit të përcaktimit të parashikuar nga DSA për të kuptuar nëse do të klasifikohemi si të tillë”, tha për Reuters Caroline Greer, drejtoreshë e Politikës Publike dhe Marrëdhënieve me Qeverinë.

/Shqip.com