Sport Ndërkombëtar

Tifozi që sulmoi portierin e Sevillas dënohet me burg

FOTO: mx24online
FOTO: mx24online

Siç bëjnë të ditur mediat holandeze, tifozi i PSV-së që së fundmi hyri në fushë duke sulmuar fizikisht portierin e Sevillas, Marko Dmitrovic, në një ndeshje të Europa League-s, është dënuar me 3 muaj heqje lirie.

Bëhet fjalë për një tifoz 20-vjeçar, që gjatë ndeshjes PSV-Sevilla të 23 shkurtit të kaluar, zbriti në fushë në përfundim të ndeshjes, duke goditur me grusht në fytyrë portierin.

“Gardiani” i portës nuk u dëmtua dhe ishte vetë ai që nxori agresorin jashtë fushe, para se të shoqërohej përfundimisht jashtë stadiumit nga personeli i sigurisë.

Çështja ka shkuar në gjyq, ku tifozi është dënuar me 3 muaj burgim, njërin prej të cilëve do ta kalojë në arrest shtëpie.

Ndeshja në fjalë përfundoi me suksesin e Sevillas, që eliminoi PSV-në, duke shkuar në 1/8 e finaleve të Europa League-s, ku përballet me Fenerbahcen.

/Shqip.com