Lajme Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka treguar për Shqip.com se kur do të përfundoj projekti

Thumanë – Kashar taksë 2.5 euro, Minxhozi tregon se a do të ketë rrugë alternative

Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi

Shqipëria është duke investuar në një rrugë të re që lidh Thumanën me Kasharin, e që e njëjta do të ketë taksë prej 2.5 euro për ta shfrytëzuar.

Megjithatë, ky projekt pritet të përfundoj pas rreth 2 vjetësh.

Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, në një përgjigje për Shqip.com ka treguar se rruga e re do ta shkurtoj kohën Thumanë- Kashar nga 30 në 7 minuta.

“Kjo rrugë do të jetë shumë e mirë dhe më e shpejtë se sa rruga ekzistuese dhe nuk bëhet fjalë për tani por për të ardhmen. Kjo rrugë do të ndërtohet nga kompani private dhe do të vendos taksën 2.5 euro. Rruga shkurtohet për rreth 7 minuta”, ka thënë ambasadori Minxhozi.

Por, rruga e re nuk do të jetë mundësia e vetme.

Qytetarët që nuk duan të paguajnë taksën, mund të shfrytëzojnë një rrugë tjetër paralele.

“Rruga alternative do të jetë shumë e mirë. Qytetarët mund të zgjedhin të kalojnë në autostradë apo të ndjekin rrugën alternative. Rruga alternative do të jetë e asfaltuar”, shton tutje ai.

Kjo pritet të jetë rruga e dytë me taksë në Shqipëri.

Vite më parë Shqipëria ka vendosur taksë edhe për Rrugën e Kombit, në vlerë prej 5 euro.

Kjo pati ngjallë reagime e qytetarëve në të dyja anët e kufirit duke e vlerësuar si çmim të lartë, e po ashtu duke e kundërshtuar atë në mungesë të një rruge alternative./Shqip.com