Kulturë

Thomaidha Tanuçi / HIR

Thomaidha Tanuçi / Poete
Thomaidha Tanuçi / Poete

Kambanat e orëve bien
si sytë e tu hirit tim
e tingulli i zërit
më ndjell një tis
të largët marrëzie.

E marr me vete  kujtesën,
misteret e natës përzihen,
mjekra rrëshqet supit
ëmbëlsisht…

Fustani i zi,
ma la zbuluar pëshpëritjen
se do të më shpëtoje
nga koha që thyhej
buzëve tona.

E gdhiva natën,
tek shija mjegullën
që largohej mbi liqen;
jetova ditën,
derisa të vinte hëna.

***

Thomaidha Tanuçi është një nga poetet më të talentuara nga Shqipëria dhe jo vetëm. Mësimet e para dhe shkollën e mesme i kreu në qytetin e lindjes, kurse studimet e larta në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan.

Është autore e veprave me poezi: “Frymë e ujët hapash të kaltër”, ProkultPres, Prishtinë, 2016, “Anormale”, Kumanovë, 2020, “Sonata e shiut”, ProkultPres, Prishtinë, 2021 dhe “Petale drite”, ProkultPres, Prishtinë, 2022.

Thomaidha jeton në Tiranë, pa harruar qytetin e lindjes Përmetin, që i dha shpirtin e kulluar të Vjosës dhe lartësinë e majave.

/Shqip.com