Sport Ndërkombëtar

Thirrjes së Infantinos i përgjigjet shteti afrikan, i vë stadiumit kombëtar emrin Pele

Thirrjes së FIFA-s që çdo vend t’i vendosë një stadiumi emrin Pele i përgjigjet Kepi i Gjelbër.

Kryeministri i shtetit ishullor (shtrihet në Oqeanin Atlantik, më perëndim të Senegalit) Ulisses Correira ka deklaruar se stadiumi kombëtar do të marrë emrin e legjendës braziliane të futbollit, i ndarë nga jeta më 29 dhjetor. Pra do të bëhet “Stadiumi Pele”.

Lajmi vjen pasi presidenti e FIFA-s, Gianni Infantino, propozoi gjatë homazheve në nderim të “Mbretit” të futbollit, që çdo vend në botë të emërojë një stadium në nder të lojtarit të vetëm në histori që ka arritur të fitojë tri kupa bote.

“Në formë nderimi dhe mirënjohjeje për këtë figurë që na bën të gjithëve të mrekullueshëm, shpreh synimin për ta emërtuar stadiumin tonë kombëtar “Stadiumi Pele”, një nismë që besoj se do të ndiqet nga disa vende të botës”, shkroi Ulisses Correira në Facebook.

“Kepi i Gjelbër dhe Brazili kanë një histori dhe kulturë që shkojnë krah për krah, duke pasur parasysh se janë dy vende simotra, të lidhura nga gjuha dhe identitetet shumë të ngjashme. Pele ishte dhe do të jetë gjithmonë një referencë në Brazil, në vendet tona që flasin gjuhën portugeze dhe në pjesën tjetër të botës, duke qenë një idhull që lidh brezat”.

/Shqip.com