Lajme

Themelorja e anulon vendimin e Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve

Gjykata Themelore në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka anuluar vendimin e Qeverisës së Kosovës, për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke e cilësuar si të kundërligjshëm. Me anulimin e këtij vendimi, Themelorja e ka lënë në fuqi vendimin e 12 shkurtit 2020. Pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë ulur edhe me Ligjin për Pagat.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se Qeveria Kurti ka ndërtuar praktikë të kundërligjshme, ku gjykatësit dhe prokurorët e rinj të pranuar pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, paguhen prej 400 deri në 600 euro më pak në raport me kolegët e tyre që janë pranuar në këto pozita para se ligji të hynte në fuqi.

Vendimi që kryeministri Albin Kurti e kishte marrë në nëntor të vitit të kaluar, që parashihte uljen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët, është anuluar me Aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në fuqi ka mbetur vendimi i 12 shkurtit të vitit 2020, me të cilin Kryeministri Albin Kurti e kishte ulur pagën e tij, por ato në Gjykatën Kushtetuese dhe sistemin juridik s’ishin prekur.

“Anulohet vendimi i të paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës i datës 23.11.2022, me numër të referencës Nr.03/109, si i kundërligjshëm. Mbetet në fuqi vendimi i datës 12.02.2020, me numër 01/02, e nxjerr nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky aktgjykim zëvendëson aktin administrativ të anuluar dhe ka karakter detyrues për palët”, thuhet në Aktgjykimin.

Por, çka tash pas vendimit të Themelores? Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka thënë Gazetës Express se ndaj këtij vendimi, Qeveria mund të ankohet në Apel, derisa ka shpjeguar rrjedhën e këtij rasti.

“Në janar të vitit 2023 Gjykata e Apelit të Kosovës kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti për Çështje Administrative për pezullimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë. Përderisa, këtë javë Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vendosur sipas meritës duke aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e paditëses- Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa ka anuluar si të kundërligjshëm vendimin e të paditurës- Qeveria e Republikës së Kosovës, për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të 23 nëntorit 2022, duke e lënë kështu në fuqi vendimin e 12 shkurtit 2020. Ndaj vendimit të gjykatës themelore ka drejtë ankesë në Gjykatën e Apelit”, ka deklaruar Miftaraj.

Pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë zbritur edhe me Ligjin për Pagat, që është në fuqi dhe është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Miftarajt, Qeveria Kurti ka ndërtuar kështu praktikë të kundërligjshme ku gjykatësit dhe prokurorët e rinj të pranuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat pranojnë kompenzim me të vogël prej 400 deri në 600 Euro në raport me gjykatësit e të njëjtës pozitë por që janë pranuar në këtë pozite para hyrjes së ligjit në fuqi.

“Sidoqoftë, qeveria Kurti përmes ligjit për Pagat që është në fuqi dhe është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese po ashtu ka zbritur pagat e gjykatësve dhe prokurorëve duke ndërtuar tanimë praktikën e kundërligjshme ku gjykatësit dhe prokurorët e rinj të pranuar pas hyrjes në fuqi të ligjit për Pagat pranojnë kompenzim me të vogël prej 400 deri në 600 Euro në raport me gjykatësit e të njëjtës pozitë por që janë pranuar në këtë pozite para hyrjes së ligjit në fuqi”, ka deklaruar Miftaraj.

Pas vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, ishte reduktuar puna e gjykatave dhe kishte vazhduar vetëm për shërbime esenciale, si dhe Këshilli dhe gjykatat kishin pezulluar bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në çdo aktivitet të organizuar apo ku janë present përfaqësuesit e Qeverisë, në shenjë proteste.

Gjykatat i ishin kthyer punës në kapacitete të plota vetëm pasi Gjykata Themelore e Prishtinës kishte marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Qeverisës ë Kosovës.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, kishte reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

/Shqip.com