Lajme

Themelohet Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës

Foto ilustruese

Me nismën e një numri ish-ambasadorësh të Kosovës është themeluar Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, në anglisht Council of Kosovo Ambassadors (CKA). Këshilli do të njihet me shkurtesën CKA dhe është organizatë joqeveritare e organizuar në formë të shoqatës.

CKA është themeluar me qëllim të avancimit të interesave shtetërore të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare përmes veprimtarive të diplomacisë qytetare, hulumtuese e akademike, si dhe ofrimit të përvojës dhe mbështetjes profesionale për politikën e jashtme të Kosovës.

Fushëveprimi i saj është diplomacia publike e qytetare. Kryetar i Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës është Ambasador Avni Spahiu.

Një aktivitet përurues i CKA-së do të mbahet sot, ditë e enjte, më 27 prill 2023, në Prishtinë. Kuvendi i parë zgjedhor do të mbahet në vjeshtë, thuhet në njoftim.

/Shqip.com