Lajme

Thaçi para Speciales: Jam i pafajshëm, lufta ishte imponim

Hashim Thaçi / ish-presidenti i Kosovës

Ish-presidenti Hashim Thaçi ka përfunduar fjalën e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës, deklaratën e dhënë pa betim gjatë së cilës ka mohuar edhe njëherë të gjithë akuzat me të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Thaçi ka thënë se i vjen keq për çdo viktimë që ka humbur jetën gjatë luftës, pa dallim etnie, përkatësie fetare apo politike.

“Viktimat nuk arrijnë të marrin drejtësi kur ndiqen të pafajshmit. Një padrejtësi nuk mund të zgjidhet me një padrejtësi tjetër”, ka deklaruar Thaçi ndër të tjera.

Teksa i ka mohuar pretendimet e Prokurorisë, Thaçi është shprehur se ndjen keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat.

Tutje, Thaçi ka treguar motivin që e shtyri të kthehet nga Zvicra për t’iu bashkuar luftës në Kosovë kundër regjimit të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serb në vitin 1998, e që ishte masakra ndaj familjes Jashari në Prekaz.

“Sot po e nisim një rrugëtim së bashku drejt së vërtetës dhe drejtësisë. Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat. Unë jam i pafajshëm, por i gatshëm të kem sukses në këtë rrugëtim. Isha student në Zvicër kur ndodhi masakra ndaj familjes Jashari. Unë, sikurse edhe shumë të tjerë, u kthyem nga atje në Kosovë.

Lufta na u imponua dhe ne e bëmë atë që do ta bëntë cdo popull liridashës. Më vie keq që këtu në këtë proces nuk mund të dëshmojnë Albright, Holdbrooke, Demelio, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Adem Demaci. Ata do të dëshmonin në emrin tim”, ka thënë Thaçi.

Hashim Thaçi dhe shteti i Kosovës është shfajësuar njëherë tashmë, sipas Thaçit, për vetë arsyen që e krijoi këtë gjykatë, raporti i senatorit Dick Marty, nga i cili nuk ka dalë asnjë fakt dhe asnjë e vërtetë, dhe tash pret të shfajësohet edhe nga të gjitha akuzat tjera përballë ZPS-së.

/Shqip.com