Lajme

Tetë komuna nuk kanë mbajtur mësim për shkak të vërshimeve

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se zyrtarët e MASHTI-it sot kanë qëndruar në disa shkolla për të parë nga afër gjendjen e krijuar për shkak të reshjeve të shiut.

Nagavci përmes një postimi në Facebook, tha se si Ministri janë duke e përcjellur me kujdes situatën dhe se me kohë do të informojnë për ditën e hënë.

“Për shkak të reshjeve të mëdha në vendin tonë, të cilat kanë sjellë vërshime në disa komuna, është pamundësuar mbajtja e procesit mësimor në disa shkolla. Zyrtarët e MAShTI, të premten, kanë qëndruar në disa shkolla për të parë nga afër gjendjen e krijuar për shkak të reshjeve, si dhe dëmet e shkaktuara në objekte shkollore. Si Ministri jemi duke e përcjellë me kujdes të veçantë situatën dhe në kontakt të vazhdueshën me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente si dhe drejtorët e DKA-ve ndërsa do të ju informojmë me kohë për ditën e hënë si dhe me drejtorët e DKA-së, për t’u informuar në detaje për çdo zhvillim në komunën e tyre”, ka shkruar ajo.

Po ashtu, Nagavci ka treguar se në cilat komuna nuk është mbajtur mësimi.

“Bazuar në të dhënat e MASHTI, komunat të cilat nuk kanë mbajtur mësim sot dhe kanë pësuar dëme për arsye të reshjeve të shiut janë: 1. Podujevë: Mësimi nuk është zhvilluar në fshatin Pakashticë dhe në fshatin Peran; 2. Viti: Në katër fshatra të Vitisë ka dëme të çative në shkolla, mirëpo mësimi është duke u mbajtur; 3. Mitrovicë: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat; 4. Skenderaj: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat; 5. Pejë: Mësimi nuk është mbajtur në fshatin Kliqinë, ndërsa në fshatrat tjera deri më tash nuk ka probleme; 6. Istog: Mësimi nuk është mbajtur në shkollën “Avni Rrustemi”, kurse dëme të mëdha ka edhe në shkollat tjera, por mësimi është zhvilluar; 7. Klinë: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë të kësaj komune, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat; 8. Zubin Potok: Mësimi nuk është duke u mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, komunat që nuk kanë raportuar dëme dhe mësimi është mbajtur në të gjitha shkollat janë në “Prishtinë, Fushë Kosovë, Drenas, Ferizaj, Shtime, Lipjan, Hani i Elezit, Kaçanik, Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Gjilan, Kamenicë, Novobërdë, Vushtrri, Deçan, Prizren, Suharekë, Junik, Dragash, Mamushë, Leposaviq, Zveça”.

/Shqip.com