Ekonomi

Termokos vazhdon me instalimin e matësve të nxehtësisë në objektet banesore

Ngrohje me termokos

Ndërmarrja Publike “Termokos” gjatë ditës së sotme do të vazhdojë me instalimin e matësve të nxehtësisë, valvulave termostatike dhe termokokave.

Kjo është bërë e ditur nga vetë ndërmarrja përmes një njoftimi për media ku thuhet se instalimi i këtyre pajisjeve do të fillojë tek objektet banesore tek Bulevardi “Nënë Terezë” dhe në “Qendër”.

“Projekti për instalimin e matësve të nxehtësisë, valvulave termostatike dhe termokokave do të vazhdojë nga e hëna më 27.03.2023. Ekipet e kompanisë punëkryese nga mëngjesi i të hënës do të fillojnë instalimet e këtyre pajisjeve në objektet banesore tek Bulevardi “Nëna Terezë” në lagjen “Qendër”, thuhet në njoftimin e Termokos.

Instalimi i këtyre pajisjeve do të mundësojë ndryshimet e mënyrës së faturimit.

“Nëpërmes këtyre pajisjeve konsumatorët do të kenë mundësi të kontrollojnë shpenzimet e tyre për ngrohje, përkatësisht nëpërmes kursimit të energjisë ngrohëse do të kenë mundësinë, që të zvogëlojnë edhe shpenzimet e tyre për ngrohje. Instalimi i këtyre pajisjeve do t’i paraprijë ndryshimit të mënyrës së faturimit nga metoda bazuar në sipërfaqen ngrohëse tek metoda më e re dhe më e saktë, sipas konsumit”.

Madje, Termokos ka edhe njoftim për ata të cilët nuk ndodhen në banesat e tyre në këto kohë.

“NP “Termokos” apelon tek të gjithë konsumatorët tanë, që të bashkëpunojnë me ekipet punëkryese, të mirëpresin ato në banesat e tyre për të mundësuar instalimin e këtyre pajisjeve dhe realizimin e plotë të projektit “Prishtina Heat Save”. Të gjithë ata konsumatorë, që nuk do të jenë në banesë, duhet të kontaktojnë në numrin pa pagesë 0800 999 00 për të caktuar terminin më të përshtatshëm për të pritur ekipet instaluese”.

Tutje, thuhet se të gjitha pajisjet, që instalohen në radiatorët e konsumatorëve tanë do të jenë falas.

/Shqip.com