Lajme

Tërmkolli: “Ishte “tërheqje taktike” e Albin Kurtit, kështu është kur “hyn n’mal pa sakicë”

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli ka komentuar shtyrjen e vendimit të Qeverisë në lidhje me reciprocitetin për targat dhe letërnjoftimet serbe.

Përmes një postimi në Facebook, Tërmkolli ka thënë se shtyrja e vendimit për reciprocitetin me Serbinë ishte një tërheqje taktike e Kurtit.

“Ishte “tërheqje taktike” e Albin Kurtit! Kështu është kur “hyn n’mal pa sakicë”! Serbia nuk po bën shaka!” shkroi Tërmkolli.

Theksojmë se me kërkesë të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës ka vendosur të dielën mbrëma që të shtyjë deri më 1 shtator implementimin për reciprocitet për letërnjoftime.

Barrikada rrugës për në Bërnjak

Në anën tjetër, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Protesta e serbëve lokalë erdhi një ditë para se të hynte në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Këto pikëkalime janë ende të barrikaduara ndërsa vërehen forcat e shtuara të Policisë së Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.

Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë./Shqip.com