Lajme

Tërmkolli: “Ballkani i Hapur” është thikë pas shpine për Kosovën

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Termkolli

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka thënë se “Ballkani i Hapur” është thikë pas shpine për Kosovën dhe gjithë shqiptarët.

Në protestën e thirrur nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kundër nismës “Open Ballkan” dhe vizitës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Tiranë, ajo ka bërë thirrje për të kundërshtuar me forcë këtë iniciativë.

“Sot ne këtu dhe gjithnjë do ta kundërshtojmë me gjithë fuqinë tonë – dhe fuqia jonë nuk është e vogël, fuqia e popullit është e madhe – është përpjekja e fundit dhe synimi i fundit i Vuçiqit që me bashkëmendimtarë t’i realizojë planet, projektet deri te Millosheviqi, e tash Vuçiqi”, ka thënë Tërmkolli.

“Por kjo nuk do të ndodhë”, ka vazhduar ajo. “Është kalaja Kosovë dhe janë shqiptarët këtu në Shqipëri dhe kudo që janë.”

Sipas Tërmkollit, Kosova nuk duhet ta pranojë “Ballkanin e Hapur” edhe nëse Serbia e njeh pavarësinë e saj.

“Disa sorosianë të rinj i kam dëgjuar se nëse Serbia e njeh Kosovën, ne do ta pranojmë Ballkanin e Hapur. Kurrë dhe asnjëherë, edhe nëse na njeh Serbia nuk e pranojmë Ballkanin e Hapur”, është shprehur ajo./SHQIP.com