Lajme

Tërheqja e Trustit, PDK pritet ta dërgojë draftin në Kuvend të premtën

Ilustrim.

Në seancën plenare që do të mbahet më 25 shkurt, pritet që të hidhet në votim tërheqja e mjeteve financiare nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trustit) deri në 30 për qind.

Lajmin e ka konfirmuar për Shqip.com deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

“Jam duke e bërë draftin për me dërgu në Kuvend. Besoj se të premtën do ta dërgoj në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndërsa, theksoi se gëzon përkrahjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës por jo edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputeit i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Deputeti Haxhiu ka propozuar që për qindja e tërheqjes së Trustit të variojë në bazë të kursimeve personale të secilit qytetar.

“Personat që kanë kursime pensionale në shumën më pak se 10.000 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në 30 për qind të kursimeve të tyre pensionale në FKPK. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 10.000 Euro deri në 19. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në 25 për qind ë kursimeve të tyre pensionale në FKPK. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 20.000 Euro deri në 29. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri 20 për qind  Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 30.000 Euro deri në 39. 999 Euro, kanë drejtë t’i tërheqin deri në 15 për qind dhe personat qe kanë kursime pensionale me shumë se 40.000 euro kanë drejtë t’i tërheqin deri në 10 për qind”,

Tërheqja e 10 për qind e mjeteve ishte garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike të votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.

Qeveria me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional kishte paraparë kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.

Aplikimi për tërheqjen e këtyre mjeteve kishte qenë i hapur nga 11 dhjetori 2020 deri më 6 prill 2021.

Nga kjo tërheqje kishin përfituar mbi 425 mijë qytetarë, të cilët kishin tërhequr rreth 200 milionë euro./Shqip.com