Lajme

Tentuan t’i ikin policisë sepse nuk kishin patentë-shoferë, arrestohen

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar të hënën dy persona në Malishevë, pasi të njëjtit nuk kishin përfillur urdhërin e zyrtarëve policorë që të ndalen derisa ishin në veturë.

Ata po ashtu kanë fyer zyrtarët policorë dhe kanë shfaqur rezistencë gjatë arrestimit.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj tha për Shqip.com se arsyeja e veprimit të tyre ishte mosposedimi i patentë-shoferit.

“Gjatë arrestimit të dyshuarit në vazhdimësi i kishin fyer zyrtarët policorë me fjalë fyese si dhe i kishin kërcënuar me fjalët: ‘Keni me pa ju se kush jemi ne, për këtë punë keni me pas punë privatisht me neve’”, tha Gjurkaj.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me vendim të tij, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./SHQIP.com