Lajme

Tensione në Kuvendin Komunal të Vitisë, Sylejmani pretendon se është fyer dhe sulmuar nga pushteti

Raportimi vjetor i kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti

Raportimi vjetor i kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, para Kuvendit Komunal nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë. Debati me opozitën ka involvuar edhe persona të tjerë që ishin jashtë sallës, për ta tensionuar situatën deri në tentim sulm dhe fyerje të ndryshme.

Këshilltari komunal nga radhët e Vetëvendosjes, në Kuvendin Komunal të Vitisë, Durim Sylejmani, pretendon se sot është fyer dhe ka qenë viktimë e një tentim sulmi nga djali i shefit të kabinetit të kryetarit Haliti.

Sipas tij, pas akuzave në drejtim të Halitit për keqpërdorim të pozitës, gjatë kohës së pauzës, ai është sulmuar nga Dren Haxhiu, djali i shefit të kabinetit të Sokol Halitit, Jakup Haxhiu.

Këshilltari komunal i VV-së, Durim Sylejmani

Durim Sylejmani për Shqip.com, ka treguar se në seancën e Kuvendit Komunal, ai ka paraqitur rastet kur kryetari Haliti ka bërë shkelje të mëdha ligjore dhe se e vërteta nuk i ka pëlqyer njerëzve që i qëndrojnë afër kryetarit.

“Unë kam folur për keqpërdorimet dhe mënyrën se si ka shkuar puna për vitin e kaluar në Komunën e Vitisë dhe pastaj në mungesë të përgjigjeve e argumenteve, i ka nxitur disa njerëz që të vijnë deri tek salla e Kuvendit Komunal dhe kanë tentuar të më sulmojnë fizikisht”, thotë Sylejmani për Shqip.com.

Debati i zhvilluar mes kryetarit Haliti dhe këshilltarit komunal nga VV-ja, Durim Sylejmani

Pas debatit të tensionuar, mes akuzash dhe kundërakuzash, kryetari Sokol Haliti, ka kërkuar që të shkohet në pauzë.  

Durim Sylejmani tregon se në momentin kur po dilnin nga salla dhe të shkonin për pauzë, pikërisht në derën e sallës, pa paralajmërim atij i është ofruar djali i shefit të kabinetit të Halitit, aty ku kanë filluar edhe fyerjet e tentimi për sulm fizik nga Dren Haxhiu.

Pamjet nga holli i Kuvendit Komunal të Vitisë pas momentit të tentim sulmit të pretenduar ndaj Sylejmanit

Ai ka treguar se rastin e ka paraqitur në polici, ku së bashku me dy këshilltarët komunalë e tjerë nga partia e tij e kanë dorëzuar denoncimin ndaj personit në fjalë.

Durim Sylejmani tregon se pas rastit nuk kanë ekzistuar kushtet që të mbahet seanca.

“Ne i kemi informuar edhe këshilltarët e tjerë komunalë se në këso rrethana nuk mund të mbahet seanca dhe jemi larguar, për të shkuar në polici që ta dorëzojmë denoncimin”, tha Sylejmani.

Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe Qendra e Vetëvendosjes në Viti, ku kanë thënë se qeverisja komunale në mungesën e argumenteve, po bëhet gjithnjë e më të egër.

Piunët e kryetarit Haliti sulmuan fizikisht dhe ofenduan rëndë inegritetin e asambleistëve vetëm për faktin se nuk mundën të ballafaqohen e as të dëgjojnë për zhytjen e tyre të thellë në keqpërdorime. Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra Viti, ka potencuar faktin së pushteti komunal në Viti i drejtuar nga shtytësi kryetari Haliti dhe vartësit e tij manipulativ po bëhen gjithnjë e më të egër, kërcenues, zhvatës dhe mbi të gjitha të dëmshëm për interesin e qytetarëve të Vitisë!”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Sipas tyre, veprimet e pozitës kanë qenë të sinkronizuara dhe banditeske.

Meqenësë kjo ka ndodhur në të njëjtën kohë nga brenda e jashtë në formë banditeske e të ultë, tregon që kjo ka qenë e sinkronizuar në mes njerëzve kryesor të kryetarit Haliti. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Viti, dënon këtë akt banditesk të papranueshëm dhe të ultë. Si Lëvizje VETËVENDOSJE! mbesin fuqishëm të përkushtuar drejt mbrojtjes së interesit të qytetarëve të Vitisë dhe denoncimeve pranë organeve të rendit! Lëvizja VETËVENDOSJE!”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga Vetëvendosje.

Për fund, Durim Sylejmani ka thënë se nuk ka probleme personale as me kryetarin Haliti e as djalin e shefit të kabinetit të kryetarit, Dren Haxhiu.

Ndërsa, aktiviteti politik, sipas tij, mbetet e vetmja arsyeje e situatës së krijuar sepse pushtetit komunal nuk i konvenon zëri opozitar.

/Shqip.com