Sport Ndërkombëtar

Tenistit të njohur i vidhet makina, e ndal përmes aplikacionit

Teknologjia e futur në makinën e tij Tesla Model X i lejoi Nick Kyrgios të rimarrë makinën e vjedhur nga një hajdut. Kjo është historia që vjen nga Canberra (Australi) dhe që përfshiu tenistin dhe mamanë e tij.

Sipas raportimeve të mediave lokale, mëngjesin e djeshëm rreth orës 8.30 një person hyri në shtëpinë e Kyrgios dhe kërcënoi mamanë e tij me pistoletë. Ai kërkoi që gruaja t’i dorëzonte çelësat e makinës së djalit të saj. Madje i kërkoi asaj që t’i tregonte edhe se si mund ta ngiste.

Sapo mbeti vetëm, Norlalia Kygrios lajmëroi djalin e saj, i cili menjëherë ndërmori dy veprime. Fillimisht telefonoi policinë dhe më pas i vendosi një kufi shpejtësie makinës së tij. Për këtë ai përdori aplikacionin e menaxhimit Tesla, që kishte instaluar në smartphone. Në këtë mënyrë, rezulton nga raportimet, policia ka arritur të ndalojë 32-vjeçarin pas një ndjekjeje të shkurtër. 32-vjeçari nga Canberra akuzohet për vjedhje, mosndalim ndaj kërkesës së policisë, drejtim mjeti pa leje dhe rezistencë ndaj zyrtarit publik.

Tesla Model X i Kyrgios është një makinë elektrike me vlerë rreth 170,000 euro. Ajo mund të menaxhohet në mënyra të ndryshme nëpërmjet një aplikacioni të instaluar në smartphone. Përveç funksioneve më klasike të disponueshme në shumë makina të tjera si kufizimi i shpejtësisë (që Kyrgios e bëri për të ndihmuar policinë të kapte hajdutin), janë edhe bllokimi/zhbllokimi i derës, kontrolli i klimës dhe gjurmimi GPS.

/Shqip.com