“Tendenca për ta heshtur kritikën është cenim i demokracisë”, LDK-ja reagon për suspendimin e policit
“Tendenca për ta heshtur kritikën, duke përdorur mekanizmat shtetërorë, përveç se është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, është cenim i madh i demokracisë dhe krijon precedent të tmerrshëm kundër lirisë së shprehjes”.
Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, për rastin e zyrtarit policor, Amir Hoxha, i cili u suspendua për shkak të shprehjes së pakënaqësisë në llogarinë e tij në Facebook për mospagesën e shujtave për policët.

“Qeveria, institucionet shtetërore dhe policia duhet të përdorin të gjitha mjetet që me çdo kusht ta ruajnë këtë liri kushtetuese, e jo t`i përdorin ato si mjet për t`ia mbyllur gojën, kujtdo që e kritikon pushtetin”, ka shkruar Halimi në Facebook.
Mes tjerash, ajo ka thënë se qeveria në vend se të kujdeset për sigurimin e kushteve të dinjitetshme për Policinë e Kosovës, “po kujdeset që t’i mbajë të nënshtruar nëpërmjet disiplinimit dhe kontrollit të tyre”.
Amir Hoxha, zyrtar i Policisë së Kosovës, është pezulluar nga detyra për një afat kohor prej tre ditësh, pasi i njëjti kishte postuar në rrjetin e tij social në Facebook një status lidhur me pakënaqësinë e tij për mos pagesën e shujtave për policët.
Në postimin e tij, Hoxha kishte përmendur edhe kompensimet e deputetëve për derivate duke thënë se “një polic mund të lihet pa bukë në kryerje të detyrës ama deputeti pa karburante kurrsesi jo. Turp ju qoftë, prapë dora jonë do ju ndëshkoj o të shkretë”.
E arsye për suspendimin e tij, ai ka treguarse është “preteksti se unë kam kryer vepër penale apo shkelje të rëndë disiplinore”.
“Me sa di unë, me njohurinë time si jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës ‘fjala e lirë apo shprehja e një pakënaqësie e cila është e bazuar në ligj’ nuk paraqet vepër penale”, ka shkruar Hoxha në Facebook.
“Edhe njëherë e potencoj se qëndroj prapa fjalës sime me ndërgjegje dhe me përgjegjësi të plotë prapa postimit tim në lidhje me diskriminimin e kundërligjshëm që po na behet në pagë, që për këtë edhe kam bërë padi në Gjykatën Themelore”./SHQIP.com