Sport Ndërkombëtar

Ten Hag më në fund flet për Ronaldon

Në prononcimin e tij në prag të ndeshjes me Chelsean, trajneri i Manchester United, Erik ten Hag është ndalur gjatë te Cristiano Ronaldo.

Sulmuesi portugez kaloi shumë minuta në nxehje gjatë takimit United-Tottenham (2-0) dhe në minutat e fundit nxitoi të shkonte drejt dhomave të zhveshjes, dukshëm i zhgënjyer për faktin që trajneri nuk e aktivizoi.

37-vjeçari nuk është grumbulluar për duelin ndaj skuadrës londineze dhe sot është stërvitur me ekipin U21 të Unitedit, ndërkohë që klubi pritet t’i mbajë pagën e dy javëve, që është e barabartë me vlerën 1 milion funte.

Ten Hag ka treguar versionin e tij në lidhje me ngjarjen aspak të këndshme që ndodhi të mërkurën. “Po, është e vërtetë, Cristiano nuk pranoi të futej në fushë në minutat e fundit… Për këtë duhet të ketë pasoja, gjë e rëndësishme për mentalitetin dhe qëndrimin e grupit”, ka thënë Ten Hag.

“Nuk kam ndërmend ta tregoj çfarë biseduam me njëri-tjetrin, do të mbetet mes nesh. Megjithatë, unë mendoj se deklaratat e mia janë të qarta: Ronaldo mbetet një lojtar i rëndësishëm i Manchester United. Unë jam trajneri, jam përgjegjës për kulturën e ekipit”, ka shtuar numri një i “Djajve të Kuq”.

“Më duhet të vendos standarde vlerash. Është hera e dytë që ndodh një gjë e tillë, kështu që veprimi duhet shoqëruar me pasoja. Ai nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen ndaj Chelseas. Është një humbje për ekipin, por është e rëndësishme të ndërtohet mentaliteti i grupit”, deklaroi trajneri holandez i United. Ndeshja Chelsea – Manchester United zhvillohet të shtunën në “Stamford Bridge” dhe fillon në orën 18:30.

/Shqip.com