Ekonomi

Telekomi sqaron afektimin e platformave 2G dhe 3G

Posta dhe Telekomi i Kosovës
Posta dhe Telekomi i Kosovës

Telekomi i Kosovës ka sqaruar arsyet e komplikimeve dhe problemeve, pas ankesave të konsumatorëve në lidhje me mosfunksionimin e platformave 2G dhe 3G.

Përmes një njoftimit në Facebook, Telekomi ka njoftuar se po zgjeron platformën për 4G.

“Telekomi hyrë në fazën e ndërrimit të platformave ekzistuese, të cilat si pasojë e mungesës së investimeve teknologjike prej mbi 8 vite, nuk kanë më kapacitet të mjaftueshëm për ta përballuar rritjen e kërkesave për shërbime të avancuara të internetit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në këtë fazë po bëhen përpjekje që të rriten kapacitetet, ashtu që konsumatorët tanë të mund të shfrytëzojnë sa më mirë shërbimet tona përmes ofertave shumë të favorshme.

“Të premten, në kuadër të aktiviteteve për zgjerimin e kapaciteteve për rrjetin 4G, të cilat veçse janë rritur për rreth 25%, pati një afektim të pjesshëm në platformat e tjera të shërbimeve të internetit 2G dhe 3G. Sigurisht, kjo krijoi shqetësime të arsyeshme te konsumatorët tanë, shqetësime të cilat janë adresuar dhe është punuar e po punohet pa u ndalur për tejkalimin e plotë të tyre”.

Telekomi ka bërë të ditur se po i trajton ankesat e qytetarëve, dhe se janë në fazën intensive te ndërrimit të platformave ekzistuese.

/Shqip.com