Teknologji

Telekomi nënshkruan kontrata për përdorimin e 5G-së

Telekomi i Kosovës ka nënshkruar të hënën kontratat për projektin “Migrimi në Kodin Telefonik të RKS dhe Modernizimi i rrjetit mobil”, në kuadër të së cilave hyn edhe përdorimi i teknologjisë 5G.

Përmes kësaj kontrate të nënshkruar nga kryeshefja ekzekutive e Telekomit, Burbuqe Hana dhe Gordana Kovaçeviq, presidente e Ericsson Nikola Tesla nga Zagrebi dhe Efthymios Partsalis – Drejtor Gjeneral i Intracom LTD Shkup do të zgjerohet edhe mbulueshmëria me teknologjinë 4G në tërë territorin e banueshëm.

“Ky është projekti më i madh i nënshkruar nga Telekomi i Kosovës pas një kohe të gjatë të mungesës së investimeve. Ky projekt hap rrugë për modernizimin e rrjetit dhe ngritjen në një nivel dukshëm më të lartë të shërbimeve të telekomunikimit për konsumatorët e Telekomit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Telekomi.

Po ashtu është bërë e ditur se kjo kontratë, që ka për qëllim modernizimin e rrjetit mobil dhe kalimin në kodin 383, sjell përfitime të rëndësishme për konsumatorët, përmirëson shërbimet telekomunikuese mobile, përmes instalimit të teknologjisë së fundit në industrinë e telekomunikimeve.

Sipas njoftimit, në teknologjinë 5G fillimisht do të instalohen 10 stacione, sa për t’u mundësuar klientëve të fillojnë përdorimin e saj, “e pastaj do të fillohet të zgjerohet komplet rrjeti, përmes projekteve të radhës”.

/Shqip.com