Lajme

Telekomi i Kosovës: Po përballemi me sulme kibernetike

Posta dhe Telekomi i Kosovës
Posta dhe Telekomi i Kosovës

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se është duke u përballur me sulme kibernetike.

Sipas një njoftimi sulmi ka filluar nga ora 8 e mëngjesit.

“Telekomi i Kosovës sot është duke u ballafaquar me sulme kibernetike. Sulmi ka filluar në orën 8 të mëngjesit. Ekipet tona i kanë identifikuar IP-të që po sulmojnë dhe janë duke u marrë intensivisht me parandalimin përfundimtar të sulmit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, sistemet qeveritare të Kosovës, gjatë javës që shkoi janë prekur nga sulmet kibernetike të llojit DDoS.

Nga qeveria njoftojnë se sulmet kanë shkaktuar pengesa të “herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare”.

Në anën tjetër, qeveria siguron se nuk është cenuar asnjë e dhënë të cilat janë të ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

Me sulme kibernetike është duke u ballafaquar edhe Shqipëria.

Ndërsa një media iraniane ka publikuar fotot e katër personave që thuhet se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

Rasti më i fundit i një sulmi kibernetik shkatërrues që iu atribuohet operativëve të inteligjencës iraniane ishte një ndërhyrje e hakerëve në sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare që filloi në vitin 2021 dhe përfundoi me një ndërprerje masive në korrik, sipas hetimeve të sigurisë të Microsoft.

Për sulmet kibernetike, përgjegjësinë e ka marrë edhe grupi i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësia e Atdheut”.

Këta të fundit kanë nxjerr në shitje me Bitcoin, të dhënat e marra nga e-Albania dhe TIMS./SHQIP.com