Të udhëtosh 120 minuta për të notuar

Nga dëshira për të notuar, Nesa Hajrullahun, nuk e zmbraps fakti se duhet të udhëtojë 120 minuta për stërvitje.
Tash e tetë vjet, Nesa udhëton për në Prishtinë, pasi në qytetin prej nga vjen, Prizren, nuk ka Pishinë Olimpike, kurse projekti për këtë ka ngecur prej vjetësh.
“Ne udhëtojmë dy herë në javë, por për të pasur paraqitje më të mira, duhet të ushtrojmë sikurse klubet në vendet e jashtme- dy herë në ditë. Është shumë e vështirë të udhëtosh pasi po na humbë shumë kohë, një orë – një orë e gjysmë deri sa po vijmë këtu”.
Udhëtimet e gjata dhe pamundësia për t’u stërvitur çdo ditë, po ndikon edhe në paraqitjet e atletëve.
“Nëse do të kishim mbajtur ushtrime më shpesh, do të kishim pasur edhe rezultate më të mira. Është shumë e nevojshme që një pishinë të jetë në Prizren, pasi kemi rezultate të mira, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit”, shton Nesa.
Katër vjet pas, projekti për Pishinën Olimpike larg përfundimit
Megjithëse, për ta avancuar këtë sport u dhanë miliona euro për ndërtimin e Pishinës Olimpike, katër vjet pas, të rinjtë e motivuar nuk mund ta gëzojnë.
Trajneri i klubit të notit “O2Prirzreni”, Kujtim Kito, tregon se si situata aktuale po i demotivon ata.
“Për Klubin tonë, por edhe për rajonin, është shumë me rëndësi ndërtimi i Pishinës Olimpike, arsyeja është që fëmijët ta kenë më lehtë dhe të mos udhëtojnë jashtë Prizrenit. Kemi sfida shumë të mëdha pasi përafërsisht bëjmë 200 kilometra për të zhvilluar një stërvitje dhe kjo është e bezdisshme dhe stresuese, si për ne, edhe për fëmijët”,thotë ai.
Guri themeltar i projektit në vlerë të 2.4 milionë eurove, u vu në korrik të vitit 2018.
Punimet ishte paraparë të përfundonin në korrik të vitit të kaluar.
Por, punimet si duket janë ndalur. E, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka dhënë përgjigje se kur pritet të përfundojnë ato.
“Projekti është shumë i rëndësishëm, por projekti, siç shihet, nuk do të mbarojë shumë shpejt”, ka shtuar Kito.
Federata e Notit në Kosovë ka 21 klube anëtare, prej tyre vetëm një gjendet në Prizren, derisa numri më i madh i klubeve të notit është në komunën e Prishtinës, ku janë shtatë të tilla.