Lajme

Të shtënat në kufirin Shqipëri-Kosovë: Arrestohen gjashtë trafikantë nga Siria e Algjeria

Fotografi e postuar nga Policia e Shtetit

Të enjten në kufirin Shqipëri-Kosovë, ka ndodhur një incident me armë zjarri, ku të përfshirë kanë qenë shtatë persona.

Gjashtë prej tyre janë arrestuar, ndërsa njëri ndodhet në arrati. Sipas Policisë së Shqipërisë, pesë prej të arrestuarve janë sirianë dhe i gjashti është algjerian. Ndërsa edhe personi i cili ndodhet në arrati është algjerian.

Qëllimi i këtij grupi ka qenë që përmes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë të hyjnë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Sipas Policisë, në tentativë për të shpëtuar, disa prej këtyre shtetasve kanë hapur zjarr ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve policorë.

Tutje, policia shton se në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huajë që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.

“Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve, që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë”.

Më tej, policia thekson se menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës, dhe pas disa orësh ndjekje, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e 6 prej tyre.

“Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Personat e arrestuar janë A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, është shpallur në kërkim shtetasi S. G., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.

Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim.

/Shqip.com