“Të qëndrojmë të bashkuar”, 37 ditë protestë në Tiranë, nis marshimi pas fjalimeve te Kryeministria
Protesta e qytetarëve në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të 37-të radhazi, duke vijuar pa ndërprerje si pjesë e një lëvizjeje të përditshme në kryeqytet.
Si çdo pasdite, edhe këtë të hënë, rreth orës 19:40, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku vijuan me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, si dhe me pankarta ironike.
Më pas, turma u zhvendos drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe u ndal para godinës së Kryeministrisë, ku vijuan për rreth dy orë me thirrje dhe fjalime nga pjesëmarrës të ndryshëm, duke përsëritur kërkesat e tyre politike.
Pas përfundimit të qëndrimit para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin e tyre në rrugët e Tiranës, duke vijuar lëvizjen në formë demonstrimi në disa akse të kryeqytetit.
Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale, të cilën protestuesit e konsiderojnë si objektivin kryesor të protestës së vazhdueshme.
/Shqip.com