Sport Ndërkombëtar

Te Istanbulspor “duhet ditur” gjuhën shqipe

Istanbulspor është një nga skuadrat që po kërkon  mbijetesën në elitën e futbollit turk. Fatin e saj e ka varur tek lojtarët shqiptarë. Eduard Rroca, Sindrit Guri, Valon Ethemi, Jetmir Topalli dhe Florian Loshaj luajtën të gjithë në ndeshjen e fundit të kampionatit.

Numri do të rritet në pjesën e mbetur të sezonit, pasi pjesë e ekipit do të jetë dhe Valmir Veliu. Plot gjashtë lojtarë shqiptarë në një skuadër të huaj është një statistikë e veçantë që përbën një rekord më vete. Pra, te Istanbulspor “duhet ditur” gjuhën shqipe, pasi shqiptarët janë “shumicë”.

Klubi nga Stambolli duket se është dashuruar me lojtarët shqiptarë, kjo dhe për meritë të tyre. Eduard Rroca është kapiteni i skuadrës, teksa ka shënuar 1 gol e ka shërbyer një asistim. Valon Ethemi është ylli i skuadrës me 9 gola e tri asistime.

Jetmir Topalli me 4 gola e 2 asistime, ndërsa Florian Loshaj debutoi me asistime në skuadrën ku u transferua gjatë janarit. Statistika që e kanë bërë Istanbulsporin të fiksuar me lojtarët shqiptar. Tani pritshmëritë maksimale janë dhe për Veliun.

Në ligat kryesore evropiane asnjë klub tjetër nuk ka një numër kaq të lartë lojtarësh me origjinë shqiptare që aktivizohen rregullisht të gjithë. Në Stamboll, “banda e shqiptarëve” siç i quajnë atje, kanë nisur t’u mësojnë shqip turqve.

/Shqip.com