Lajme

Të hënën protestohet para KEDS-it, kërkohet shkarkimi i Rizvanollit

Një grup qytetarësh kanë paralajmëruar se të hënën, më 27 dhjetor, do të protestojë para KEDS-it kundër reduktimeve të rrymës, që kanë nisur qe disa ditë si pasojë e krizës energjetike në vend.

Protesta, siç bëhet e ditur në njoftim, do të nisë nga ora 13:00 dhe do të zgjasë rreth një orë e gjysmë.

Tri kërkesat e protestuesve janë: “rrymë 24/7; shkarkim të Ministres Rizvanolli dhe nacionalizim të KEDS-it”.

“Ftojmë të gjithë qytetarët/et e Kosovës të na bashkohen në protesta mbarëkombëtare kundër manipulimeve dhe papërgjegjësisë të vazhdueshme të KEDS ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

“KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike”.

“Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë”.

Sipas tyre, KEDS-i, distributor kryesor i energjisë elektrike në Kosovë, është duke dështuar që t’i përmbushë obligimet e saj për furnizim 24/7 të të gjithë qytetarëve.

“Në anën tjetër, këtë dështim Qeveria është duke na e faturuar neve, duke e subvencionuar KEDS-in me 20 milionë euro nga paraja publike”.

“Kjo krizë përveç që është duke e paralizuar çdo aspekt të funksionimit shoqëror dhe ekonomik, është duke treguar që shërbimet esenciale nuk duhet të lihen në duar të sektorit privat.

“Andaj, të hënën, duke filluar nga ora 13:00, mblidhemi pranë KEDS-it në protestë ndaj kësaj gjendjeje alarmante”./SHQIP.com