Kulturë

“Të gjithë ndjejmë por nuk e flasim” – përmes tingujve e vallëzimit sot shfaqet “Vajtimi i Tokës”

“Të gjithë ndjejmë por nuk e flasim, vërejmë  por nuk e shohim atë që na afekton por ne qëndrojmë indiferent”

Ndryshimet klimatike në vend, e ndërgjegjësimi me planetin e kaltër, në një mënyrë artistike do të shfaq sot “Vajtimi i Tokës”, në Prishtinë.

Në kuadër të festivalit të artit në hapësirë publike “HAPU”, do të jepet premiera e veprës “Lament of the Earth” e kompozitores kosovare Donika Rudi.

Rudi tha se “Lament of the Earth” ose “Vajtimi i Tokës”, është cikël i veprave të cilat i kushtohen  efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë.

“Fokusi thelbësor i këtij cikli është shtjellimi i temës së ndryshimeve klimatike dhe eksperiencave tingullore për komunitetin e shurdhët”, tha kompozitorja për Shqip.com.

Rudi, tha se gjuha e shenjave dhe vallëzimi do të jenë pjesë integrale e këtij cikli, ku përmes lojës së lëvizjeve, vallëzimit dhe “visual vernacular” do interpretohet dhe përjetohet emocioni i tingujve.

“Vepra adreson atë që të gjithë ndjejmë por nuk e flasim, vërejmë  por nuk e shohim, atë që na afekton por ne qëndrojmë indiferent. Çdo qenie e gjallë është është pjesë përbërëse e Tokës, si të tillë lindim prej saj dhe kthehemi tek ajo. Kjo vepër është medium në mes të dëgjuesit dhe gjenomit të tij të humbur prej kohësh, pasi përpiqet të eksplorojë ekzistencën e secilit prej nesh me një thirrje, një thirrje për të dëgjuar dhe vepruar, para se të jetë tepër vonë”, ka shtuar tutje ajo.

Kompozitorja Donika Rudi

Vepra e drejtuar në dy tema- ndryshimet klimatike e po ashtu integrimi i komunitetit të shurdhër në përformanca vjen për shkak të vetë eksperiencës së kompozitores me komunitetin.

“Duke qenë se tash 2 vite jam artiste e asociuar krahas  IN SITU – European Platform for Artistic Creation in Public SPace per vitin 2020 – 2024 fokusi im si krijuese është i përqendruar pikërisht në këto dy tema për të cilat po flas: ndryshimet klimatike e po ashtu eksperiencave tingullore tek komuniteti i shurdhët. Pas dy vitesh hulumtim, takime, punëtori me komunitetin kjo vepër vjen si rezultat i asaj pune të madhe që është bërë paraprakisht”, është shprehur ajo.

Shfaqja do të mbahet në Parkun e Qytetit në Prishtinë, duke filluar nga ora 21:00 dhe 21:30.

E që sipas kompozitores, kjo nuk do të jetë e vetmja përformancë pasi ajo paralajmëroi edhe një mori veprash, instalacione tingullore pikërisht mbi këto tema.

“Të kujdesemi për Tokën dhe ta mbrojmë atë para se të jetë vonë. Është momenti i fundit për ndryshim, në të kundërtën do ti shohim pasojat shumë shpejt, gjë e cila është duke u ndjerë edhe tash, këto vitet e fundit”./Shqip.com

/Shqip.com