Lajme

Të enjtën diskutohet për takimin në Ohër në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar se kryesia e Kuvendit të Kosovës kanë rënë dakord që gjatë ditës së enjte, kryeministri, Albin Kurti të njoftoi për takimin e të shtunës që është mbajtur në Ohër me palën serbe nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas Kusari-Lilës, seanca do të fillojë nga ora 10:00

“Kryesia u dakordua edhe për një seancë të re e cila do të mbahet me 23 mars e që është ditë e enjte duke filluar nga ora 10:00 në të cilën u dakordua që dy pikat e rendit të ditës që është deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare të hiqen në mënyrë që të ofrohet mundësi dhe kohë më shumë për diskutim nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për takimin e Ohrit”, tha Kusari-Lila.

Kusari-Lila tha se përveç të enjtes, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet me një seancë tjetër të mërkurën e që parasheh pikat e pa përfunduara në seancat e kaluara.

“Kryesia e Kuvendit të Kosovës është dakorduar që të kemi prapë dy seanca këtë javë. Njëra do të mbahet me datën e mërkurë duke filluar nga ora 12:00 e cila në agjendë do të ketë pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara”, tha Kusari-Lila.

Tutje, Kusari-Lila tha se  të enjten do të votohen edhe tri marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë shtyrë në seancat e kaluara.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka bërë publik planin e për zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Në shtojcën e publikuar thuhet se Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

“Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit, do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Pas miratimit të Marrëveshjes dhe kësaj Shtojce, Lehtësuesi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar Kapitullin 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe kjo Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks”, thuhet në dokumentin e publikuar.

Palët bien dakord që në mënyrë urgjente të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për vendosjen e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut siç përcaktohet nga Lehtësuesi i BE-së”.

Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.

Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. 

Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Rendi i paragrafëve të kësaj shtojce nuk cenon rendin e zbatimit të tyre.

Kosova dhe Serbia pajtohen të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i detyrimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

/Shqip.com