Lajme Vëllai i mjekut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hafir Shalës, Hasan Shala tha për Shqip.com se tash e 24 vjet presin që të paktën të marrin një informacion për vëllain e tyre i cili u zhduk që nga 10 prilli i vitit 1998

Tash e 24 vjet familjarët nuk dinë asgjë për fatin e mjekut të UÇK-së

Dr. Hafir Shala, i zhdukur më 10 prill 1998

Hasan Shala tash e 24 vjet nuk dinë asgjë për fatin e vëllait të tij, Hafir Shalës, i cili ishte arrestuar nga policia serbe dhe më pas ishte raportuar si i zhdukur.

Për Shqip.com, Shala tha se informacioni i vetëm që kanë marrë për gjatë këtyre viteve për Hafirin ka qenë se është parë diku po atë muaj kur është zhdukur dhe më nga ajo ditë nuk dinë asgjë.

“Ai është zhdukur që nga 10 prilli i vitit 1998, që nga ajo kohë vetëm njëherë kemi dëgjuar për të. Në lajme është njoftuar se në atë muaj që është zhdukur është parë diku e nga ajo ditë nuk dimë asgjë për të dhe nuk na ka dhënë ndonjë informacion askush më”, tha Shala.

Sa i përket zhvillimeve lidhur me kërkimet për vëllait të tij, Shala tha se vetëm para 15 vjetësh janë marrë mostrat e ADN-së nga prindërit dhe më pas nuk ka pasur ndonjë zhvillim tjetër.

“Analizat ju janë marrë të dy prindërve. Kjo ka ndodhur para 15-16 vitesh dhe ende jemi duke pritur, nuk ka ndonjë zhvillim tjetër që nga ajo ditë”.

Shala dhe e gjithë familja e tij tash e 24 vjet janë në pritje për të ditur për fatin e më të dashurit të tyre me emri i të cilit figuron në mesin e mbi 1600 personave që raportohen të zhdukur me dhunë në luftën e fundit në Kosovë.

Shala ishte mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe ju doli në ndihmë  personave civil të zonës së Drenasit.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Drenas tani mbanë emrin e mjekut.

Qerkini: Të lihet anash politika dhe t’i kthehet aspektit human për të pagjeturit

Drejtuesi i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, Bajram Qerkini, në luftën e fundit në Kosovë ka thënë  për Shqip.com se kanë apeluar Qeverinë e Kosovës dhe ndërkombëtarët që të lejnë anash politikën dhe t’i kthehen aspektit human lidhur me personat e zhdukur.

“Kemi bërë një apel Qeverisë së Republikës së Kosovës por edhe ndërkombëtarëve dhe të gjithë ata që merren me personat e pagjetur e këtë ankth tonin plot 23 vjet ta largojnë politikën dhe të kthehen në aspektin human”, tha Qerkini.

Hoti: Në tre muajt e fundit janë gjurmuar 13 lokacione, gjashtë prej tyre me mbetje

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti ka thënë për Shqip.com se në tre muajt e fundit ka përfunduar gjurmimi i 13 lokacioneve në të cilat dyshohet se ka varreza masive nga lufta e fundit në Kosovë.

“I kemi përfunduar 13 lokacioni ne 3 mujorin e fundit, dhe e kemi krijuar edhe agjendën për muajt ne vazhdim, që do te gërmohen. Nuk mund ta them shifrën e lokacioneve te ardhshme, sepse varion nga informacionet qe marrim ne vazhdimësi”.

Sipas Hotit, në gjashtë prej këtyre lokacioneve kanë gjetur mbetje të cilat aktualisht janë duke u verifikuar në bazë të AND-së.

“Nga këto 13 lokacione, 6 prej tyre janë me gjetje, dhe jemi në procedurë te ADN-së në mënyrë që të saktësohet numri i personave dhe të bëhet identifikimi i tyre”.

Hoti pohoi se kanë siguruar imazhe satelitore në Rudnicë dhe Kizhevak ndërsa, janë duke pritur për imazhe në Shtaval të Serbisë.

“Në fakt kemi kërkuar imazhe satelitore nga partnerët tanë ndërkombëtar, dhe falë tyre kemi përfunduar lokacionet: Rudnicë dhe Kizhevak, ndërkaq po vazhdojmë të presim imazhe satelitore për lokacionin Shtaval ne Serbi”.

Ndërsa, Qerkini kërkoi nga Qeveria dhe ndërkombëtarët që të filloj një grup dialogues të cilët kanë një planprogram për personat e zhdukur i cili do të paraqitët edhe në Bruksel.

“Po ashtu të fillojë grupi dialogues dhe të punon me një planprogram për të na informuar më shumë dhe për më bërë më shumë për me e zgjedh problemin e personave të pagjetur. Ky planprogram të bëhet nga Qeveria dhe nga ndërkombëtarët dhe të ju jepet mundësia që të shpaloset edhe në Burksel”. 30 gushti shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur gjatë viteve 1999-2000 kur edhe ndodhi lufta në Kosovë.

30 gushti shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur gjatë viteve 1999-2000 kur edhe ndodhi lufta në Kosovë./Shqip.com