Lajme

Taravari: Largimi i BDI-së nga pushteti do të ishte mirë për të, shqiptarët dhe Maqedoninë

Arben Taravari
Arben Taravari

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga Opozita e Bashkuar Shqiptare, Arben Taravari, tha se nuk e përjashton mundësinë e një bashkëpunimi të ardhshëm me Bashkimin Demokratik për Integrim.

Megjithatë, ai shtoi se është koha që kjo parti të largohet nga pushteti.

“Nuk kemi vija të kuqe, komunikimi vazhdon me të gjitha partitë, por në parim jam i sigurt se opozita shqiptare do ta sjellë ndryshimin e pritur gjatë te shqiptarët, 22 vjet një parti edhe sikur çdo gjë të ishte mirë është shumë”, tha Taravari.

Ai shtoi se BDI-ja ka pasur skandale dhe afera, përfshirë manipulim të zgjedhjeve.

“Keqpërdorim në zgjedhje ka pasur, këtë e dinë të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, sidomos në zgjedhjet e fundit të 2020, se janë manipuluar po se po, se ka pasur vota që janë blerë, në këto zgjedhje opozita e bashkuar do të fitojë, por diferenca do të jetë pak më e madhe që të mundet të manipulohen”, tha Taravari në Rubikon të Klan Kosovës.

Kandidati për president në RMV foli edhe për kryeministrin shqiptar të këtij vendi, Talat Xhaferi, për të cilin tha se ka funksion vetëm simbolik.

“Sot nuk kemi kryeministër shqiptar por simbolik, kryeministër teknik. Ne si parti e kemi përkrahë zotërinë Talat Xhaferi edhe për kryeparlamentar, edhe për pozicionin e kryeministrit teknik sepse simbolika është e rëndësishme, por a e dini cili ishte propozimi i parë i kryeministrit teknik? Shkarkimi i dy ministrave shqiptarë”, tha Taravari.

Sipas tij, është e rëndësishme që t’i jepet mundësia një strukture të re politike dhe që BDI të kalojë në opozitë.

“Ndryshimi është i domosdoshëm dhe i dobishëm, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për BDI-në. Një parti nuk është parti nëse një periudhë nuk e kalon në opozitë. Mendoj se shkuarja e BDI-së në opozitë është mirë për BDI-në, për Maqedoninë, por është mirë edhe për shqiptarët t’i japim një shans një garniture të re politike, të shohim si mund të udhëheqin”, tha Taravari në Klan Kosova.

/Shqip.com