Tanin: Bashkësia ndërkombëtare nuk kishte informacione paraprake për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë
Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, tha se bashkësia ndërkombëtare nuk ishte e informuar paraprakisht për vendosjen e masës së reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës, përcjell Shqip.com.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për zhvillimet në Kosovë, ai tha se mungesa e komunikimit politik ka çuar në përshkallëzim të situatës.
“Në mëngjesin e 20 shtatorit, Prishtina ka nisur një operacion policor në Kosovën veriore me qëllim të zbatimit të masave të reja për targat. Duke marrë parasysh diskutimet e ndjeshme dhe kamotshme për lirinë e lëvizjes përmes dialogut të mbështetur nga BE-ja do të ishte e natyrshme të pritej një komunikim me ata që preken. Megjithatë, komunikimi ka qenë i pakët apo fare. KFOR-it s’i është dhënë njoftim paraprak”, ka thënë ai.
Tutje, Tanin foli edhe për operacionin kundër kontrabandës së mallrave në Mitrovicën Veriore, ku tha se ky aksion provokoi tensione dhe konfrontime që përfunduan me disa të lënduar.
Sipas tij, është optimiste mundësia që tash të ketë rifillim të “angazhimit real ndaj dialogut”.
“Është diskutabile nëse KFOR-i është njoftuar paraprakisht për dërgimin e njësive speciale. Operacioni provokoi tensione dhe konfrontime që përfunduan me disa të lënduar. Ka pasur edhe kërcënime për jetë të shkaktuara nga të shtënat e policisë. Popullata civile në veri raportoi lëndime nga gazilotsjellës dhe granatat zhurmuese që i përdori policia. Protestuesit gjuajtën me gurë dhe sipas policisë disa të dyshuar përdorën armë zjarri kundër policisë”, ka thënë ai.
Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të përqendrohet në rindërtim të lidhjeve në mes të gjitha komuniteteve./SHQIP.com