Sport Shqiptar

Talenti vushtrrias Amar Gërxhaliu debuton me ekipin e parë të Antalyasporit: Karriera ime sapo ka filluar, ëndërroj debutimin edhe me Kosovën

Amar Gërxhaliu është një ndër futbollistët e shumtë me origjinë nga Kosova që po rritet në Superligën e Turqisë te skuadra e elitës së futbollit, Antalyaspor.

20-vjeçari tashmë e ka bërë hapin e madh në karrierë. Ai ka debutuar me ekipin e parë në një ndeshje të Kupës së Turqisë ndaj Pendikspor, të fituar nga Antalyaspor me shifrat 3:0.

Gërxhaliu në gusht të këtij viti iu bashkua ekipit të parë të Antalasporit duke nënshkruar kontratë 4-vjeçare.

Ndërkohë, debutimi i tij në elitën turke pritet të vjen së shpejti. Amar Gërxhaliu është nga Vushtrria.

Gjatë pandemisë, ka luajtur për Vushtrrinë.

Amari në një intervistë për Shqip.com flet për fillimet e karrierës së tij.

“Karriera ime profesionale për mua sapo ka filluar. Momentalisht gjithçka po ecën shumë mirë. Tashmë kam debutuar edhe në Kupën e Turqisë duke luajtur 90-minuta. Për mua ka qenë kënaqësi e madhe pasi që edhe kemi arritur fitore”, ka thënë Amar Gërxhaliu të enjten mbrëma për Shqip.com.

Shtatlarti 1.93 i gjatë shprehet i kënaqur me punën që është duke e bërë. “Sigurisht që duhet të punoj edhe më shumë dhe nuk duhet të ndalem për të arritur sa më shumë”, vlerësoi Amari.

Ai tash e pesë vite jeton në Turqi. Shkollën e mesme e ka përfunduar në Stamboll dhe ka luajtur te skuadra Bashakshehir (juniorët). Në Kosovë është rikthyer gjatë pandemisë pasi që personat nën moshën 18-vjeçare nuk kanë mundur të lëvizin nga Turqia.

“U riktheva në Kosovë për të luajtur një vit me ekipin e zemrën FC Vushtrria. Në vitin 2021 u ktheva në Stamboll për ta vazhduar shkollën derisa në gusht të këtij viti nënshkrova kontratë profesionale me Antalyasporin”, pohoi Gërxhaliu.

“Kjo është hera e parë që Antalyaspori e transferon një shtetas të Kosovës. Unë jam krenar që edhe flamuri jonë i bukur qëndron në klub”, tha ai.

Amar Gërxhaliu tashmë është ftuar edhe nga Përfaqësuesja e Kosovës U-21. “Jam i nderuar me ftesën e Kosovës U-21. Synimi im mbetet Kosova A. Shpresoj të punoj shumë dhe ftesën ta marr sa më shpejt”, tha ai.

Amari për fund sqaroi se nuk është ndarë asnjëherë nga futbolli kosovar. “Futbollin e Kosovës e përcjell në vazhdimësi, e patjetër edhe klubin e zemrës FC Vushtrria, aty ku i fillova hapat e futbollit si 6-vjeçar. Shpresoj dhe uroj që do të rikthehen në Superligë, aty ku e kanë vendin”, përfundoi Amar Gërxhaliu.

Krahas tij në elitën e futbollit të Turqisë luajnë edhe shumë futbollistë me origjinë nga Kosova.

Vitet e fundit, Turqia është bërë “çerdhe” për shumë lojtarë kosovarë.

/Shqip.com