Lajme Botë

Talebanët akuzojnë administratën amerikane se po plaçkisin 7 miliardë dollarë nga fondi i Afganistanit

Talebanët janë të hidhëruar që fondet e Afganistanit do të përdoren për t’i kompensuar familjet amerikane të cilat kanë pësuar nga sulmi terrorist i 11 shtatorit.

7 miliardë dollarë është fondi i afganëve i cili po mbahet i  bllokuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka vendosur që një pjesë e amerikanëve të përfitojnë nga fondi i Afganistanit. 

Mirëpo vendimi nuk po pranohet nga Talebanët të cilët akuzojnë Bidenin se i ka futur duart në paratë të cilat u takojnë vetëm afganëve.

“Konfiskimi dhe vjedhja e fondit të afganëve nga Amerika përfaqëson nivelin më të ulët të humanitetit të këtij shteti dhe të këtij populli”, ka thënë zëdhënësi i Talebanëve, Mohammad Naeem.

Ekspertët pohojnë se alokimi i mjeteve financiare nga administrata e Joe Bidenit do të shkaktojë vështirësi në ekonominë e Afganistanit.

“Është e rëndësishme që ato para t’u kthehen afganëve si asistencë humanitare ngase gjendja ekonomike është shumë e rëndë”, ka thënë analisti politik, Mohsin Amin.

Në rrjete sociale shumë afgan kanë akuzuar administratën amerikane se janë duke kryer vjedhje nga fondi i tyre i cili po mbahet i bllokuar.

Sipas tyre asnjë shtetas i Afganistanit nuk është i përfshirë në ngjarjen e vitit 2001 ku u goditën Kullat Binjake në New York me ç ‘rast humbën jetën rreth 3 mijë persona. /Shqip.com