Lajme

Takimi i ardhshëm midis Kosovës dhe Serbisë për targat me 13 maj

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë pritet që takimin e ardhshëm për çështjen e targave ta zhvillojnë me 13 maj.

Kjo është bërë e ditur nga Miroslav Lajçak përmes një postimi në rrjetin social në Twitter.

‘’Më vjen mirë të njoftoj se pas konsultimeve të mia me dy kryenegociatorët dje dhe sot, ne ramë dakord të vazhdojmë diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave në Bruksel më 13 maj’’ ka thënë Lajçak.

Takimi i fundit midis Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje është zhvilluar me 20 prill por që nuk u arritë ndonjë marrëveshje.

Kosova përfaqësohet nga Bisnik Bislimi ndërsa Serbia nga Petar Petkoviç.

Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Marrëveshja është arritur pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës. Disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugët, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti./Shqip.com