Kulturë

Takime të rëndësishme mes ASHSH-së dhe Enciklopedisë Shqiptare të Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, gjatë një udhëtimi pune për në Bullgari, ka qëndruar në Shkup këtë fundjavë, meqenëse Maqedonia e Veriut është pjesë e projektit të “Enciklopedisë shqiptare” që mbulohet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Akad. Skënder Gjinushi realizoi një takim edhe me redaksinë e posaçme të Enciklopedisë Shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

Redaktori përgjegjës i redaksisë së posaçme të “Enciklopedisë shqiptare”, prof. dr. Aziz Pollozhani, gjatë këtij takimi e informoi kryetarin e ASHSH-së për punën e deritanishme në konsolidimin dhe ekipimin e redaksisë së posaçme, si dhe për zbatimin e detyrave që tashmë janë paravendosur.

Akad. Skënder Gjinushi, nga ana e tij, duke shprehur inkurajim për punën e redaksisë së Maqedonisë së Veriut, foli për projektin madhor të “Enciklopedisë shqiptare”, dhe vuri në dukje se kjo është një mundësi e rrallë e përfshirjes së të gjithë kapacitetit shkencor të kombit në hartimin e një enciklopedie deri tash të munguar.

Në enciklopedinë shqiptare do të përfshihen 24 fusha, albanologji, shkencë, histori, gjuhë, etj. Thelbësorja është njehsimi i kriterit shkencor me tre bashkëpunuesit, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, tha akad. Gjinushi.

Për realizimin e “Enciklopedisë shqiptare” ka dy redaksi qendrore në Shqipëri dhe Kosovë dhe më shumë se 2000 veta do të punojnë për realizimin e këtij projketi madhor. Pritet që puna të vazhdojnë për më shumë se pesë vjet.

Në fund të këtij takimi, akad. Gjinushi i përgëzoi anëtarët e redaksisë së ESH-së të Maqedonisë së Veriut, i falënderoi për angazhimin dhe uroi që ky bashkëpunim të jetë i frytshëm.

/Shqip.com