Lajme

Takim për uljen e tensioneve Kosovë-Serbi

Pas më shumë se një viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes dy vendeve, raporton Radio Evropa e Lirë.

Gjatë ditës së djeshme, Bashkimi Evropian ka ftuar liderët politikë në Kosovë dhe Serbi që menjëherë t’i japin fund retorikës nxitëse dhe të veprojnë me përgjegjësi.

BE-ja ka shprehur shqetësim për deklaratat në të cilat përmenden lufta dhe konflikti, dhe ka shtuar se “do t’i mbaj përgjegjës liderët politikë për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.

“Rritja e retorikës nxitëse kohëve të fundit nga ana e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat rreth luftës dhe konfliktit në Ballkanin Perëndimorë paraqesin shqetësim të madh. Politikanët e lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi që mund të qoj deri tek ndonjë rritje të tensioneve dhe potencialisht në dhunë në rajon”, thuhet në këtë deklaratë.

Tre ditë më parë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e përgatitur kundër një sulmi të mundshëm nga Serbia pasi tensionet me pakicat serbe në Kosovë mund të rezultojnë në një konflikt të ri të armatosur.

Ai akuzoi Rusinë, e cila është aleati kryesor i Serbisë dhe ka vënë veton ndaj ofertës së Kosovës për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, për një rol në nxitjen e tensioneve në Kosovë.

KFOR-I është shprehur i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri.

Po ashtu Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përhapur një propagandë se kinse Kosova “është duke përgatitur sulm në Veri për vrasjen e serbëve”.

Vuçiq tha se Kosovës nuk i intereson se çfarë ka për të diskutuar Beogradi./Shqip.com