Takim i akademikëve në Prishtinë, për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”
Akademikë nga Tirana dhe Prishtina kanë zhvilluar një takim pune në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”.
Akad. Anastas Angjeli, koordinator i redaksisë vendore të Tiranës për redaksitë e grupfushave ekonomi-financë-tregti, ishte në Prishtinë për të diskutuar me akademikët Isa Mustafa, Justina Shiroka-Pula e Besnik Krasniqi dhe me anëtarë të redaksive përgjegjëse për gjendjen e deritashme të punës për hartimin dhe propozimin e fjalësit për “Enciklopedinë shqiptare”.
Takimi u zhvillua në ASHAK, me praninë e drejtuesve dhe të anëtarëve të redaksive të grupfushave (ekonomi, financë, tregti).
Bashkëbiseduesit u përqendruan në shkëmbimin e mendimeve për harmonizimin e listës së artikujve enciklopedikë që redaksitë përkatëse kanë përgatitur deri tani.
Po ashtu, u diskutua edhe për bashkërendimin e mëtejshëm të punës për përzgjedhjen dhe stabilizimin përfundimtar të fjalësit dhe ndarjen e punës me autorët realizues.
Deri më 31 mars 2024 redaksitë e fushave duhet të përfundojnë listën paraprake të artikujve enciklopedikë për fushat përkatëse, për t’i hapur udhë diskutimeve të mëtejshme në redaksitë e hierarkisë.
/Shqip.com