Lajme Botë

Tajvani goditet nga një tërmet vdekjeprurës

Zjarrfikësit punojnë pranë një ndërtese të kolapsuar nga tërmeti në Hualien të Tajvanit. 3 prill 2024.
Zjarrfikësit punojnë pranë një ndërtese të kolapsuar nga tërmeti në Hualien të Tajvanit. 3 prill 2024.

Një tërmet prej 7.2 ballësh ka goditur Tajvanin më 3 prill duke vrarë shtatë persona dhe duke plagosur më shumë se 700 të tjerë.

Si pasojë e tërmetit – që ishte më i fuqishmi që ka goditur këtë ishull në të paktën 25 vjet – u lëshuan paralajmërime për cunami në jug të Japonisë dhe Filipine, por më vonë autoritetet tërhoqën paralajmërimet.

Epiqendra e tërmetit ishte në qarkun lindor malor të Hualienit.

Autoritetet thanë se 60 nga 77 personat e bllokuar nën rrënoja janë bllokuar në një tunel në veri të qytetit Hualien, ndërkaq dy shtetas gjerman janë bllokuar në një tunel tjetër.

Qeveria tajvaneze tha se numri i të plagosurve është 736.

Tërmeti ndodhi rreth orës 08:00, sipas kohës lokale, të mërkurën. Administrata Qendrore e Motit të Tajvanit tha se tërmeti kishte një thellësi prej 15.5 kilometrash.

Ndërkaq, autoritetet në Japoni paralajmëruan qytetarët se cunami mund të godasë pjesën jugore të Okinavës, por më pas tërhoqën këtë paralajmërim.

Paralajmërime të njëjta për cunami lëshoi edhe Filipine, duke u kërkuar banorëve pranë bregdetit që të evakuoheshin.

Autoritetet në Tajvan thanë se kanë regjistruar 25 goditje pasuese. Tërmeti është ndier është në shtete të tjera, përfshirë në Kinë.

Për shkak të dridhjeve të tokës, operatori i energjisë Taipower, tha se mbi 87.000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike, duke shtuar se dy centralet bërthamore të vendit nuk janë prekur nga reduktimet.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Tajvanit tha se ky ishte tërmeti më i fuqishëm që ka goditur ishullin që nga viti 1999, kur një tërmet prej 7.6 ballësh të Rihterit vrau afër 2.400 persona dhe shkatërroi 50.000 ndërtesa. /REL

/Shqip.com