Lajme

Tahiri: Zgjidhje për situatën në Kosovë do të ishin zgjedhjet

Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri
Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se situata në Kosovë është ndërlikuar shumë dhe për këtë ndoshta zgjidhje do të ishin zgjedhjet.

Në paraqitjen për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri tha se do të vijnë në një situatë që Parlamenti i Kosovës nuk do t’i ketë më 120 deputetë.

“Do të vijmë në një situatë qe Parlamenti i Kosovës nuk do t’i ketë 120 deputetë dhe do të kemi një vakum kushtetues të cilin duhet ta interpretojë Kushtetuta. Çështja është ndërlikuar shumë ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjedhje”, tha Tahiri.

Deputetet e Listës Serbes, sot kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre të parevokueshme në Kuvendin e Kosovës.

Nga 11 anëtarë sa ishin, tani veq Adem Hoxha nga komuniteti goran është pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se Lista Serbe ka bojkotuar institucionet e Kosovës pas vendimit të Qeverisë për pezullimin nga puna drejtorin rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Po të njëjtën ditë, shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Policinë e Kosovës kanë zhveshur uniformat e tyre.

Dorëheqjet e tyre kanë vazhduar edhe në ditët pasuese – në mesin e dorëheqjeve janë edhe ato të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe.

Dje është mbajtur edhe një protestë ne veri të Kosovës në të cilën u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lista Serbe ka njoftuar se ata nuk do të kthehen në institucione derisa të largohet vendimi për targat si dhe deri në formimin e Asociacionit.

/Shqip.com