Lajme

Tahiri thotë se Serbia ka rifilluar krijimin e “Serbisë së Madhe” nga Bosnja

Ish-kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri
Ish-kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, deklaroi të enjten se Serbia ka rifilluar të krijojë “Serbinë e Madhe” përmes Bosnje dhe Hercegovinës.

Sipas saj, këtë po e bën me ndihmën e Rusisë.

Tahiri, madje iniciativën Open Ballkan, e konsideron si pretekst për ta realizuar planin e “Serbisë së Madhe”.

“Serbia e ndihmuar nga Rusia ka rifilluar krijimin e “Serbisë së Madhe” në Bosnje e Hercegovinë, pasi nuk mundi ta bëjë këtë nga Kosova. Tensionet për ndarjen e Bosnjës po arrijnë pikën e vlimit, duke nxitur destabilizimin dhe luftërat e mundshme. Iniciativa “Open Balkan” shërben si mbulim i rremë”, ka shkruar Tahiri në Twitter.

Bosnja dhe Hercegovina, është në një kohë krize të thellë politike pas aktivitetit antikushtetues dhe të paligjshëm të anëtarit të presidencës së këtij vendi nga radhët e Republika Srpska-s, Milorad Dodik.

Tension dhe frikë në Bosnjë u përhap edhe më tej pasi përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, paralajmëroi se ky vend është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe tha se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt./SHQIP.com