Lajme

Tahiri: Tallja me grevistët është matje e rezistencës qytetare nga ana e Qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është duke bërë injorim të një problemi madhor.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se tallja me grevistët është matje e rezistencës qytetare nga Qeveria.

“Injorimi total i një problemi madhor dhe tallja me grevistët dhe sindikatën është matje e rezistencës qytetare dhe sociale nga ana e Qeverisë. Thyerja eventuale e saj është thyerje e çdo kërkese dhe pritje të ngjashme nga hisedarë tjerë”, shkroi Tahiri.

Tahiri tha se greva legjitime është kthyer në një betejë nga Kurti.

“Fatkeqësisht, një grevë legjitime Kryeministri e ka kthyer në betejë për dominim. Një lëshim për Kryeministrin sot, është një vit më shumë dominimi total dhe jo demokratik për Kryeministrin nesër”.

kujtojmë se sot, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë se në ditët e sotme mësimdhënësit janë nëpërkëmbur, dinjiteti u është cenuar, e ata historikisht janë të njohur për sakrificën e tyre përgjatë viteve.

Por, pavarësish kësaj sindikata përmes një njoftimi për media ka kërkuar mendimi e anëtarësisë që greva të ndërpritet dhe mësimi të filloj qysh me 3 tetor.

“Këshilli grevist i SBASHK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”.

Sindikatat janë në grevë të përgjithshme më shumë se një muaj./Shqip.com