Lajme

Tahiri: Serbia përmes protestave po e provokon Kosovën

Ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se Serbia përmes protestave po e provokon Kosovën.

Tahiri në një shkrim në Facebook, ka thënë se Serbia po kalon nëpër trauma të vjetra dhe të reja.

“Serbia po kalon nëpër trauma, të vjetra dhe të reja, ndaj po provokon Kosovën përmes protestave të sajuara në veri të vendit! Kosova duhet të mos lejojë të provokohet, sepse burimi i tyre lidhet me humbjet që po pësojnë edhe Rusia dhe Serbia nga bota perëndimore”, ka shkruar ajo.

Në Mitrovicën e Veriut serbët kanë protestuar duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.  

Rreth 500 serbë janë grumbulluar në këtë qytet dhe ata janë duke ecur në bulevardin kryesor të qytetit. Pankartat e tyre përmbajnë shkrime kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të cilin e kanë cilësuar si destruktivë. 

Lexo edhe:
Protestuesit serbë në Veri: Kurti ka shkatërruar gjithçka

Përveç komunës së Mitrovicës së Veriut edhe në Graçanicë sot është protestuar  kundër vendimit të institucioneve kosovare për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Gjithashtu në këtë protestë është kundërshtuar edhe vendimi për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Svetanoviq e cila ishte takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Këshillin e Sigurisë në Beograd.

Kryetari i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç ka kërkuar mbrojtjen nga ndërkombëtaret ngase sipas tij në Prishtinë nuk ka vullnet që të dëgjohen kërkesat legjitime të serbëve./Shqip.com

Lexo edhe:
Në Graçanicë protestohet kundër vendimit të Qeverisë kërkohet shfuqizimi i vendimit për gjyqtaren serbe