Lajme

Tahiri: Rezoluta e propozuar nga LVV-ja, shpërfaqë pazotësinë e ministrave

Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri
Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se rezoluta e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për adresimin e rritjes së çmimit, shfaq pazotësinë e ministrave.

Tahiri tha se përveç tjerash kjo rezolutë është mungesë e guximit të ministrave për të marrë vendime në dikasteret që udhëheqin.

“Kjo rezolutë shpërfaqë pazotësinë e ministrave dhe mungesën e guximit për të marrë vendime në dikasteret që udhëheqin mungesën e vizionit për të sjellë ligje që do të lehtësonin punën e tyre dhe mbi të gjitha zbatimin e pakos së mëhershme ekonomike për të ndihmuar Kosovën”, tha Tahiri.

Ilustrim

Ai tha se përmes kësaj rezolute do të shtyhej përpara një agjendë që ata nuk e dinë.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në seancën e sotme të Kuvendit ka prezantuar rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve.

Ajo tha se qytetarët duhet të mbrohen nga ndikimi i inflacionit dhe kriza ekonomike.

Kusari-Lila tha se përmes rezolutës dhe hartimit të ligjit për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore, s’do të ketë fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve.

Ajo tha se nuk duhet të krijohet hapësira për pozita abuzuese që sjellin fitime për grupe biznesesh, si dhe ulja e TVSH-së në disa sektorë nuk përcillet me uljen e çmimeve te konsumatorët, por vetëm fitim më të madh të bizneseve./Shqip.com