Ekonomi

Tahiri: Pranuam pasqyrat e Trustit, 80% e investimeve për vitin 2022 kanë humbur

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se këtë javë kanë pranuar pasqyrat individuale të Trustit.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka  thënë se 80 për qind e investimeve për vitin 2022 kanë humbur.

“Këtë javë pranuam pasqyrat individuale të Trustit Pensional dhe për habi pothuajse i gjithë kontributi i këtij viti, më saktë, mbi 80% e investimit për vitin 2022 ka humbur. Nga një analizë e thjeshtë vërehet se rreth 6% e kontributit total ka humbur vetëm gjatë vitit që lamë pas”, shkroi Tahiri.

Tahiri ka edhe një pyetje për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Dhe tani kam një pyetje për Kryeministrin Kurti: A keni fije turpi kur vendosët që t’i privonit qytetarët e Kosovës që në këtë kohë krize të paparë t’i tërheqin një pjesë të kursimeve të tyre. Ku mbeti arsyetimi juaj kur thonit se po i mbrojmë investimet e qytetarëve, kur sot u vërtetua se gati i gjithë kontributi i vitit 2022 rezultoi me humbje dhe atë si rezultat i paaftësisë tuaj!?”.

Tutje, Tahiri thotë se pushteti e ka ‘helmuar’ popullin.

“E keni ‘helmu’ popullin me pollavra, me tema koti, përderisa ekonomia është para bankroti e sektori publik para kolapsi, ju bëni filma!”.

Shkrimin e tij, Tahiri e përfundon duke thënë “Boll Ma!!”.

/Shqip.com