Tahiri për Bislimin: Ky ka probleme të rënda psikike

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka ftuar prokurorinë e shtetit të veprojë ndaj deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri.
Sipas Bislimit Tahiri e ka kërcënuar në Kuvend dhe për këtë arsyeje prokuroria duhet të veprojë.
“Deputeti Abelard Tahiri nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që i vendos shurdhuesin armës së tij u kthye kah unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh, të cilat pastaj i shoqëroi me sharje dhe fyerje nga ulësja e tij. Do të doja që Prokuroria të merret me këtë rast”.
Mirëpo deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, po hedh akuza të pabaza në drejtim të tij.
Ai e ka mohuar se e ka kërcënuar dhe sharë zv-kryeministrin Bislimi duke e quajtur person me probleme të rënda psiqike.
“Është një qoroditje e kësaj qeverie nuk e di a jeni tu e pa sjelljen e këtij e kësaj këta e kanë një siklet tepër të madh kta janë në siklet që as veni vend si nxen, ky flet akuza të pabaza jep akuza del në foltore ky vërtetë ka probleme të mëdha edhe psikike ky është në gjendje të rëndëm ne kërkojmë fokus angazhim të kësaj qeveri në kryerjen e detyrave të saja”, ka thënë Tahiri.
Edhe Ministri i Financave Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka ftuar prokurorinë që të veprojë ndaj deputetit Tahiri.
“Pak minuta më parë isha edhe unë dëshmitar, pas mbylljes së mikrofonit, nga ulësja e tij, Abelard Thairi kërcënoi dhe shau zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Ftoj prokurorinë që të trajtojë kërcënimin e një personi që ka mbajtur armë shurdhuese për shumë vite”, tha ai.
Kujtojmë se Kabineti i qeverisë së ish-kryeministrit Hashim Thaçi kishte blerë pesë paisje të cilat për funksion kishin ndaljen e zhurmës së armëve të zjarrit.
Në dokumentin e siguruar nga SHQIP.com të datës 2 mars 2011, figuron se kabineti ishte furnizuar fillimisht me pesë armë dhe në kuadër të po të njëjtës blerje, ishin blerë edhe pjesë të tjera si shurdhues.
Bashkë me pjesët përcjellëse ato kishin kushtuar 19 mijë euro. Në dokument figuron se janë blerë pesë shurdhues të llojit MP 7 A1.
/Shqip.com