Lajme

Tahiri: Në trevjetorin e keqqeverisjes, Kurti është dorëzuar e po kërkon zgjedhje

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në trevjetorin e qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se Kosova është përballur me dëme të mëdha dhe kthim në pikën më të errët.

Tahiri ka theksuar se për këtë kryeministri Kurti tani është dorëzuar dhe se po kërkon zgjedhje të parakohshme si një rrugë e vetme për ta përballuar dështimin e qeverisjes së tij.

Ai gjithashtu ka shtuar se ka përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar për të shqyrtuar performancën e kësaj qeverisjeje, e cila, sipas tij, ka dëmtuar Kosovën dhe e ka kthyer atë në një gjendje kritike.

“Ne kemi përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar në trevjetorin e kësaj keqqeverisje, e cila realisht ka arritur t’i bëjë vetëm dëme Kosovës dhe ta kthejë në pikën më të errët që nuk e ka besuar askush ndonjëherë”, ka thënë Tahiri.

Ai gjithashtu ka cituar kryetarin e partisë së tij, Ramush Haradinaj, i cili e kishte quajtur Kurtin si “një mashtrues” në fillim të mandatit të tij, duke theksuar se kjo konfirmonte parashikimin e tij.

“Mirëpo, unë jam i kënaqur që dje kryeministri Albin Kurti e tha edhe vetë dhe e ka kuptuar edhe vetë se ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kur në fillim të këtij mandati, kryetari Haradinaj thoshte se ky është një mashtrues, njerëzit shikonin me habi të madhe. Ajo çka karakterizohet këto tri vite është me të vërtetë një qeverisje që nuk i qëndron asnjë vendimi mbrapa dhe siç e patë edhe vetë, kryeministri u dorëzua në mandatin e tij të tretë, duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje”, është shprehur ai në konferencë për media të premten.

/Shqip.com