Lajme

Tahiri: Kurti duhet ta largojë nga detyra Hekuran Muratin

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti që të largojë nga detyra ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin.

Tahiri, deklaratat e Hekuran Muratit për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i ka quajtur skandaloze.

“Janë skandaloze dhe heshtja e kryeministrit karshi këtyre deklaratave është e papranueshme. Ne e shohim që këtu tashmë ka një agjendë, ju e dini që kemi pasur një debat shumë të ashpër për mos përfshirjen e veteranëve të UÇK-së pra pensionin e tyre me mos kategorizimin me pagën minimale në Republikën e Kosovës”, ka thënë Tahiri gjatë një konferencë për media pas seancës së Kuvendit.

Mendojmë që kryeministri nuk ka alternativë tjetër veçse largimin e tij nga ky pozicion, besojmë shumë që e çliron edhe veten e vet, sepse në krye të kuletës së shtetit ka vendosur një njëri të papërgjegjshëm dhe të paaftë, ka thënë më tutje Tahiri./Shqip.com