Lajme

Tahiri jep disa arsye pse PDK-ja po e bojkoton fjalimin vjetor të Osmanit

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës edhe këtë vit nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Osmani.

Kështu ka njoftuar nëpërmjet Facebook deputeti i kësaj partie Abelard Tahiri.

Bojkotimi sipas tij vjen pasi presidentja fatkeqësisht ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit.

Thotë se Osmani si presidente ka heshtur edhe atëherë kur do të duhej ta ngriste zërin fuqishëm përballë sfidave që ka kaluar vendi jonë gjatë këtij viti, si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtem.

“Zonja Osmani si presidente që në krye të herës e ka braktisur rolin unifikues që do të duhej ta kishte sepse me vendimet, veprimet dhe mosveprimet e saj ka demonstruar njëanëshmeri të thellë politike ndaj pushtetit dhe nënshtrim ndaj Albin Kurtit. Fatkeqësisht në rreth tri vite të mandatit të saj si presidente nuk shquhet për asnjë nismë të vetme, as në raport me gratë e as në raport me grupet e tjera shoqërore”

Po ashtu, sipas tij duke qënë përfaqësuesja më e lartë e shtetit, zonja Osmani si presidente ka dështuar tërësisht në përfaqësimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata serioze ndërkombëtare.

“Në aspektin e brendshëm, jo vetëm që i ka mbyllur sytë përballë skandaleve dhe aferave korruptive të kësaj qeverie por i është bashkuar fushatës qeveritare për të sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë dhe në rastin më të keq duke e shkelur kushtetutën në çështjen e mos dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit. Praktikisht në vend se të mbështeste në mënyrë institucionale pavarsinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë, ajo ka penguar punën e tyre, duke penguar kështu edhe luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative”.

/Shqip.com